Grabitja te ‘ExCoins’, Pronari nga Kamenica flet për Sinjalin: Hajnat u futën me kallashë, morën 45-50 mijë euro.

Gazeta Sinjali raportoi sot për një grabitje të armatosur që ka ndodhur sot në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Rasti ka ndodhur te njëra nga pikat e “ExCoins.me” në Prishtinë, ku dyshohet se hajnat kanë marrë një shumë të madhe parash.

Lidhur me rastin, ka folur për Sinjalin pronari i kompanisë, i cili tha se dyshohet se grabitja është kryer nga dy persona, të cilët janë futur në lokal me armë të gjata dhe kanë arritur të marrin 45-50 mijë euro. 

“Ka ndodhur një grabitje, dy persona kanë hyrë me kallashë edhe ju kanë bo presion punëtorëve. Shuma përafërsisht është diku nga 45 mijë deri në 50 mijë që janë marrë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.” – tha ai për Sinjalin. 

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme për të zbuluar rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

“Sot rreth orës 10:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se nën kërcënim të armës është grabitur një shumë parash. Policia në koordinim me prokurorinë po ndërmerr veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.” – ka njoftuar Policia për Sinjalin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *