Rritet numri i të prekurve me kancer të gjirit në Kosovë

Koha.net shkruan se: Numri i të prekurve me kancer të gjirit në Kosovë është rritur për më shumë se 10 për qind në shtatë mujorin e vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deri në gjysmën e gushtit të këtij viti, 270 persona janë diagnostikuar me këtë sëmundje malinje, ku katër prej tyre janë meshkuj. Nga Klinika e Onkologjisë thonë se ka nevojë për rritje të stafit mjekësor, ndërsa shprehen se u mungon një hapësirë më e madhe për të trajtuar pacientët. Sa i përket furnizimit me barna esenciale, nga kjo klinikë thonë se qëndrojnë mirë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi ka thënë se numri i të prekurve me kancer të gjirit po rritet nga viti në vit, ndërsa shton se ky numër mund të kalojë mbi 450 deri në fund të vitit.

“Numri është duke u rritur nga viti në vit, dhe kemi diku 10-15 për qind raste më shumë nga viti në vit dhe për shtatë mujorin e parë të këtij viti 2023, ne kemi identifikuar rreth 1230 raste me kancer në total të të gjitha rasteve. Kurse, në veçanti me kancer të gjirit, kemi për shtatëmujorin e parë 270 raste me kancer të gjirit, që për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është diku për 10 për qind, pak më shumë se vitin e kaluar. Mendojmë që ky numër mos të kalojë shifrën prej 450 rasteve të reja me kancer të gjirit deri në fund të vitit. Ky numër mund të jetë ndoshta më i pakët, mirëpo në bazë të trendit dhe identifikimit të rasteve muaj për muaj mund të kapë edhe atë shifër apo mund të shkojë edhe numër pak më lartë. Këtë vit, deri sot kur po flasim, janë diku katër meshkuj të moshës diku mbi 30 vjeç të cilët kanë kancer në gji”, tha Kurtishi për KSP.

Kurtishi u shpreh se Klinika e Onkologjisë ka nevojë për rritje të stafit mjekësor, duke shtuar se po mungojnë edhe hapësirat për dhënien e terapisë së pacientëve.

“Ne kemi nevojë akoma më tepër të kemi staf edhe superior dhe shpresojmë që deri në fund të vitit ose vitin tjetër të hapen specializime edhe nga lëmia e Onkologjisë, sidomos nga Onkologjia Mjekësore dhe nga Radioterapia. Pasi që kemi nevojë për staf shtesë të mjekëve dhe nëse mendojmë që edhe të hapim një degë tjetër në një qendër tjetër në Kosovë, atëherë normalisht që duhet të kemi edhe specializantë të rinj. Klinikës së Onkologjisë i ka munguar dhe i mungon akoma hapësira, pasi që duhet të kemi hapësirë edhe më tepër, do të kemi hapësira të mjaftueshme për pacientë të cilët do të marrin terapinë”, ka thënë Kurteshi.

Ai është shprehur i kënaqur edhe me pajisjen me aparatura të reja, për të cilat shprehet se të njëjtat iu kanë lehtësuar jetën pacientëve, duke mos pasur nevojë të shkojnë jashtë vendit për trajtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *