Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se sistemi i kapur i drejtësisë, sipas tij, po lufton me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Murati ka bërë krahasime se si, sipas tij, prokuroria nuk ka vepruar ndaj ministrave të qeverive të kaluara, e me ministrat e Qeverisë Kurti ‘prokuroria po bën spektakle nga asgjëja’.
“Në fund të vitit 2020, nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ poashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik “për shenjimin e naftës”. Vendimi ishte marrë me 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri” – ka shkruar Murati.
Kujtojeni që edhe vendimi për shpronësimin e famshëm të rrugës Kijevë-Zahaq nga Qeveria Haradinaj ishte marrë me 31 dhjetor 2019, që poashtu ishte qeveri në ikje dhe e dorëhequr.Megjithatë, shkojmë me 14 janar 2021, pra dy javë më vonë, Vesel Krasniqi nënshkruan kontratë 5-vjeçare me të njëjtën kompani, për t’i dhënë kompanisë monopol në shënjimin e naftës”.
Sipas Muratit, e njëjta kastë politike që kishte krijuar monopolin e homologimit, po krijonte edhe një monopol tjetër në tregun e naftës.
Ai ka thënë se ministria që e drejton Rozeta Hajdari, pasi që kishte marrë mandatin Qeveria Kurti, kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë rast në Prokurorinë Speciale.
Por sipas Muratit, prokuroria që dy vite nuk ka bërë asgjë.
E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja. Po të kishte prokurori e gjyqësor që njëmend ka mision luftimin e krimit, Vesel Krasniqi do duhej të jepte llogari për shkeljet që ka bërë. Por ja që Veseli ftohet për intervistë, në media e jo në prokurori. Ndërsa prokuroria bën spektakël në vend se spektaklin t’ia lërë medias” – ka shkruar ministri Hekuran Murati.