Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, ku janë arrestuar zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet se është i përfshirë në keqpërdorimet me rezerva shtetërore, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se keqqeverisja e karakterizuar me skandale, afera e korrupsion duhet të marrë fund.
Sipas tij, zgjedhjet e reja duhet të mbahen sa më parë.
“Keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund. Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. ZGJEDHJE TË REJA SA MË PARË!”, shkroi ai.