48 persona dyshohet se kanë marrë paga për gjashtë vite në shkollat e Mitrovicës së Veriut pa shkuar fare në vendet e punës për gjashtë vite.
Për këtë sipas zyrtarëve të kësaj komune këta 48 punëtorë janë paguar nga buxheti i komunës 32,083.90 euro në muaj, apo 385,006.80 euro çdo vit.
Kështu e ka thënë për KALLXO.com, Visar Syla, Shef i Kabinetit të Kryetarit në Komunën e Mitrovicës Veriore
“Janë 48 persona të cilët kanë figuru në listat e pagave e që nuk ka dëshmi që të njëjtit kanë vijuar punën në vendin e punës për të cilën janë paguar. Bëhet fjalë për kontrata në: arsimin parashkollor, arsimin fillor dhe arsimin e mesëm”.
Ai shtoi se kontrata të tilla janë lëshuar që nga viti 2013 deri në vitin 2019.
“Kontrata të tilla janë lëshuar ndër vite, saktësisht që nga viti 2013, dhe janë si në vijim: Viti 2013, 2 kontrata; Viti 2014, 2 kontrata; Viti 2015, 3 kontrata; Viti 2017, 9 kontrata; Viti 2018, 23 kontrata; Viti 2019, 21 kontrata”.
Ai shtoi se totali i pagesave për këta persona ka qenë 32,083.90 euro në muaj, që brenda vitit konsiston me një shumë prej 385,006.80 euro
Tutje, Shefi i Kabinetit të Kryetarit në Komunën e Mitrovicës Veriore thotë se është marrë vendim për ndërprerjen e pagave për këta persona.
“Në muajin e parë të qeverisjes së re është marrë vendim për ndërprerjen e pagave, pasi që përfituesit nga këto kontrata nuk kanë arritë me e dëshmu vijueshmërinë e tyre në vendin e punës. Nuk ka asnjë person që paguhet nga buxheti i komunës e që nuk është i rregullt në vendin e punës”.
I pyetur se çfarë masa janë marrë për këta persona, ai ka thënë se rasti është adresu te krimet ekonomike në Polici dhe tutje në Prokuror
“Rasti është adresu në krime ekonomike, krimet ekonomike e kanë dërgu në prokurori”.