Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, njofton se avokatët nga Republika e Kosovës tashmë njihen zyrtarisht nga Gjermania.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai bën të ditur se tani e tutje avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë, duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare.
Tutje, ambasadori Ajeti shton se të njohur nga një vend i rëndësishëm si Gjermania, avokatët nga vendi ynë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike.
“Ky kapitull i ri ofron një mundësi të jashtëzakonshme, që dija dhe përvoja e avokatëve kosovarë të jenë në proporcion të drejtë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të integrimit juridik, përkatësisht të përshtatmërisë së kuadrit ligjor të avokatisë kosovare me atë gjermane dhe evropiane. Faleminderit Ministrisë Federale të Drejtësisë për besimin e vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës! ”, shkroi Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili postoi edhe dokumentin në gjuhën gjermane.