Kurti: Nuk ka ndarje të Vetëvendosjes, vetëm mospajtime

Kurti: Nuk ka ndarje të Vetëvendosjes, vetëm mospajtime

- in Lajme
72
Comments Off on Kurti: Nuk ka ndarje të Vetëvendosjes, vetëm mospajtime

Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti tha sot se në lëvizjen Vetëvendosje nuk ka ndarje, por vetëm disa dorëheqje.

Kurti këto komente i bëri në një konferencë për media ku tha se në Vetëvendosje ka mospajtime dhe dorëheqje, por jo ndarje të lëvizjes. Sipas tij, edhe këto dorëheqje janë vetëm nga pozitat, por jo nga anëtarësia.

Kreu i VV-së tha se zgjidhja e këtyre mospajtimeve është pjesëmarrja aktive, e jo dorëheqja.

“Unë besoj që zgjidhja është pjesëmarrja aktive e jo dorëheqja. Unë nuk mbaj inat, as nuk do të hakmerrem e as nuk do ta përdori dorën e hekurt”, tha ai.

Ai bëri të ditur se në qershor të 2017, ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri ia ka bërë të qartë se nuk është i interesuar edhe për një mandat në krye të Vetëvendosjes.

Kurti tha se momenti vendimtar kur ka vendosur të kandidojë për kryetar të Vetëvendosjes ishte bojkotimi i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, në dhjetor të 2017.

“Mendoj se ka qenë vendim i drejtë dhe koha do ta dëshmojë”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

I pyetur për raportet me Dardan Molliqajn, Kurti tha se janë të dy deputetë të Vetëvendosjes.

 

Kurti ka folur edhe për zgjedhjet për kryetar të VV-së. Ai tha se mbajtja e zgjedhjeve të lira në VV është obligim statutor.

Ai tha se kandidimi i dy tre personave për kryetar të lëvizjes nuk nënkupton patjetër demokraci, edhe pse siç tha ai ka besuar se do të ketë kundërkanddiat.

Kreu i VV-së tha se e dëshiron një organizatë ku inkurajohet kritika dhe vet-kritika konstruktive, ku nuk do të ketë sharje, ofendime e abuzime.

“E kam vullnetin e hekurt, por jo dorën e hekurt… Unë nuk jam as shef a as pronar në Vetëvendosje por jam kryetar që të shërbej dhe nuk besoj që duhet të më shohin si dikush që mund të përdor dorë të hekurt ndaj kujtdo qoftë”, tha Kurti.

Ai mohoi se anëtarët e Vetëvendosjes e thërrasin komandant ose babë. “Jemi në paqe, jo në luftë”, u përgjigj Kurti.

“Do të jem kryetar i të gjithëve, do t’i shërbej vullnetit dhe interesit të përgjithshëm… Kosova ka shumë halle dhe qytetarët presin shumë prej nesh. Ne do të jemi në nivel të detyrës”, tha Kurti. /Telegrafi/

You may also like

Pas ratifikimit të Demarkacionit, Dhurata Hoxha tregon se kur mund të udhëtojmë lirshëm

Të enjten pritet që të qitet në votim